Një qytetar nga Vlora ka denoncuar një rast shqetësues në një dyqan ushqimor të qytetit, ku pas blerjes së vezëve ka zbuluar se produktet ishin të mykura dhe të papërshtatshme për konsum. Kjo situatë përbën rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe tregon mungesë kontrolli mbi cilësinë e produkteve ushqimore që shiten në treg.
Qytetari ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përkatëse që kanë për detyrë kontrolline produkteve ushqimore si dhe verifikimin e menjëhershëm të dyqanit në fjalë. Apelohet që autoritetet të marrin masa ndaj subjekteve që shesin produkte të prishura, për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen.
"Përshëndetje! Dua të bëj një denoncim për një problem shumë serioz. Kam blerë vezë në një dyqan në Vlorë dhe të gjitha më dolën të mykura. Ju lutem, publikoje këtë, sepse po helmojnë njerëzit! Ky vend duhet të kontrollohet për atë që shet", shkruan qytetari për JOQ Albania.