Një tjetër tender me aromë abuzimi duket se ka kaluar “pa zhurmë” në Spitalin Rajonal “Memorial” të Fierit. Bëhet fjalë për procedurën me objekt “Blerje materiale për DSA dhe Trombektomi”, me numër reference REF-60756-09-09-2025, me një fond limit prej 115,625,291.67 lekësh pa TVSH, ose rreth 1.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Fitues i shpallur është “O.E.S Distrimed”, kompani në pronësi të Orjada Jaho dhe Ermal Rizaj, e cila ka ofruar një vlerë prej 115,463,540 lekësh pa TVSH. Kjo përbën 99.86% të fondit limit, një shifër që ngre serioze dyshime për mungesë gare reale dhe për një fitues të mundshëm të paracaktuar.
Nga hulumtimi i bërë nga JOQ Albania, rezulton se në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, por vetëm “O.E.S Distrimed” ka dorëzuar një ofertë ekonomike. Kompania tjetër ka hyrë në garë formalisht, pa ofruar asnjë vlerë financiare — një praktikë e njohur që shpesh përdoret për të krijuar iluzionin e konkurrencës.

Kjo nuk është hera e parë që “O.E.S Distrimed” përmendet në tendera të tillë të dyshimtë në sektorin e shëndetësisë. Pavarësisht ndërrimit të ministres së Shëndetësisë, duket se praktikat abuzive dhe rrjetet e interesave nuk kanë ndryshuar. Kompania ka fituar edhe më parë tendera me vlera të mëdha dhe me mungesë të qartë konkurrimi, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe integritetin e procedurave publike.
Në një kohë kur spitalet publike përballen me mungesa të pajisjeve bazike dhe pacientët paguajnë shërbime që duhej të ishin falas, tenderat “të mbyllur në laborator” si ky i Fierit tregojnë se skemat e vjetra të përfitimeve private mbi kurrizin e sistemit shëndetësor vazhdojnë të lulëzojnë.
