Policia gjermane ka arrestuar një 30-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se ishte një nga autorët e grabitjes së një autobusi me udhëtarë në Bavarinë e Poshtme.
Ngjarja ndodhi gjatë natës së djeshme në autostradën A93, pranë daljes Aiglsbach, ku tre persona ndaluan autobusin duke përdorur shenja që imitonin ato të policisë. Shoferi, duke menduar se bëhej fjalë për një kontroll rutinë, ndaloi mjetin në anë të rrugës.
Pasi hynë në autobus, autorët improvizuan një “kontroll të rremë”, gjatë të cilit i morën shoferit para dhe dokumente personale, e më pas u larguan me makinë pas pak minutash, raportojnë mediat gjermane.
Policia njofton se i arrestuari ishte në kërkim edhe për një tjetër vepër penale, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij vijojnë të jenë në arrati. Hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre po zhvillohen “me intensitet të lartë”.
Sipas informacioneve fillestare, autorët kishin me vete armë zjarri, por nuk kanë kërcënuar apo lënduar askënd gjatë grabitjes. Autobusi po udhëtonte nga jashtë Gjermanisë, ndërsa pasagjerët nuk u prekën fizikisht nga autorët.
Policia gjermane e ka cilësuar ngjarjen si “jashtëzakonisht të pazakontë”, duke e krahasuar me një skemë tipike filmash kriminalë.
Shënim: Fotoja e përdorur në artikull është ilustruese dhe nuk lidhet me ngjarjen.