Hyrjet dhe daljet e Unazës së Madhe të Tiranës shpesh shndërrohen në kaos, duke bërë që shumë qytetarë të mbeten të bllokuar në trafik për minuta të tëra. Kjo ndodh kryesisht sepse disa shoferë nuk respektojnë radhën, por parakalojnë në mënyrë të rrezikshme për të dalë përpara të tjerëve, duke bllokuar një nga korsitë kryesore të unazës që përdoret nga shoferët që duhet të vazhdojnë më tej për në destinacionin e tyre.
Si pasojë, shoferët që ndodhen në korsinë e ngadaltë detyrohen të kalojnë në korsinë e shpejtë për të vazhduar rrugën, gjë që shton rrezikun e aksidenteve.
Një i ri që lëvizte me një automjet të vogël “Smart” e ka filmuar këtë situatë mbrëmjen e sotme, duke treguar qartë problemet që shkaktojnë këto manovra të papërgjegjshme. Në pamje shihet edhe një rast përplasjeje mes dy makinave, ku njëri nga shoferët u largua nga vendi i ngjarjes.
Këto raste po bëhen gjithnjë e më shqetësuese për shoferët që respektojnë rregullat, ndërsa të tjerët, me parakalime të rrezikshme, vënë në rrezik jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Shkrimi u mor nga TVA News!