Rio de Janeiro është tronditur nga një operacion masiv policor kundër karteleve të drogës, i cili është kthyer në një “banjë gjaku”. Autoritetet braziliane raportojnë të paktën 136 të vrarë, mes tyre edhe disa efektivë policie, në përplasjet me bandat e “Komandave të Kuqe” që kontrollojnë disa prej lagjeve më të rrezikshme të qytetit.
Pamjet që vijnë nga favela kanë shkaktuar tronditje: mbi 70 trupa u gjetën në një pyll nga banorët dhe u rreshtuan në rrugë, pothuajse të zhveshur, për më shumë se shtatë orë, përpara se të hiqeshin nga autoritetet. Edhe rrugë të tjera të Rios u mbushën me kufoma, në një skenë që shumë media vendase e kanë krahasuar me “kohë lufte”.
Ky është operacioni më i dhunshëm policor në Brazil gjatë viteve të fundit dhe ndodh vetëm një javë para samitit të OKB-së për klimën, që do të mbahet pikërisht në Rio de Janeiro, duke vënë në qendër të vëmendjes kontrastin e frikshëm mes diplomacisë globale dhe realitetit brutal në rrugët e qytetit.