Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast skandaloz të papërgjegjshmërisë institucionale nga Bashkia e Tiranës. Ai ka dërguar edhe pamje të filmuara me dron, ku shihet qartë gjendja e rënduar e një pallati të dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Sipas denoncimit, objekti ndodhet në rrugën “Luzi”, lagjja Katuni i Ri (Yrshek), Tiranë, dhe strehon 15 familje që prej më shumë se 6 vitesh jetojnë në pasiguri të plotë.
Qytetari shprehet se pallati është klasifikuar në kategorinë DS5, dëmtim i nivelit më të lartë që kërkon shembje të menjëhershme, por pavarësisht kësaj, asnjë masë konkrete nuk është marrë nga autoritetet kompetente.
“Ka kaluar më shumë se 6 vite dhe pallati ende qëndron në këmbë, duke përbërë një rrezik publik për jetën e banorëve dhe për banesat përreth. Plasaritjet janë të theksuara, ndërsa struktura është e dëmtuar deri në kufijtë e shembjes,” – thekson qytetari në mesazhin e tij.
Sipas tij, banorët kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për ndërhyrje, por institucionet janë mjaftuar vetëm me ofrimin e bonusit të qirasë, pa marrë asnjë hap për rindërtimin ose shembjen e objektit.
Në raportin e tij, ai i drejtohet me tre kërkesa urgjente autoriteteve:
1. Shembjen e menjëhershme të objektit për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.
2. Rindërtimin dhe sigurimin e banesave të reja për 15 familjet e prekura.
3. Verifikim në terren me dokumentim fotografik dhe filmik për të konstatuar gjendjen kritike të ndërtesës.
Në fund, qytetari shpreh zhgënjimin e tij ndaj mungesës së përgjegjësisë institucionale:
“Ka mbaruar koha e pritjes. Çdo ditë që kalon është rrezik për jetë. Nëse ndodh një tragjedi, përgjegjësia bie mbi institucionet.”