Skandal mjedisor në Fierzë: Inertet e firmës “Florida shpk” po ndotin Liqenin e Komanit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.10.2025, 17:46

Një prej perlave natyrore të Shqipërisë, Liqeni i Komanit, po shkatërrohet nën sytë e të gjithëve. Në zonën e Fierzës, përgjatë rrugës breglumit, një firmë ndërtimi po hedh pa asnjë kontroll inertet e punimeve direkt në ujërat e liqenit – duke e kthyer këtë pasuri kombëtare në një vendgrumbullim mbetjesh ndërtimi.

Banorët e zonës, të shqetësuar për ndotjen e vazhdueshme, tregojnë se pas denoncimeve të përsëritura në Komisariatin e Tropojës, askush nuk ka ndërhyrë. Përkundrazi, ndërtimet dhe hedhjet në liqen vijojnë çdo ditë, pa asnjë ndërprerje.

Sipas informacioneve të konfirmuara për denoncuesit nga vetë bashkia, punimet në këtë zonë janë të ndaluara, pasi ndodhen shumë pranë liqenit, ku çdo ndërhyrje e tillë dëmton ekosistemin dhe peizazhin që tërheq mijëra vizitorë çdo vit. Megjithatë, firma “Florida shpk”, që po zhvillon punimet, vazhdon aktivitetin e saj si të mos ekzistonte asnjë rregull apo autoritet shtetëror mbi të.

Ujërat e dikurshme të pastra të Komanit, që pasqyronin majat e thepisura të Alpeve, sot përzihen me baltë e mbetje ndërtimi. Ndotja po prek jo vetëm peizazhin, por edhe jetën ujore dhe turizmin e zonës, një dëm që mund të jetë i pariparueshëm.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Inspektorati i Mjedisit dhe Prokuroria, për të ndalur këtë krim mjedisor që po ndodh në heshtje. Në një vend ku ligji ndalon çdo lloj ndërtimi pranë liqeneve, Tropoja po sheh çdo ditë sesi bukuritë e saj po mbulohen nga balta e papërgjegjshmërisë.

Nëse institucionet vazhdojnë të heshtin, atëherë humbja nuk do të jetë vetëm për Fierzën, por për gjithë Shqipërinë.

Denoncimi i qytetarit:

"Në Tropojë, Fierzë rruga breglumi, bukuritë e Liqenit të Komanit po i ndotin me inertet që zhvillon firma ndërtuese "Florida shpk" që hedh në liqen. E denoncova në komisariatin e Tropojës dhe askush nuk mori masa, ju lutem të merren masa dhe të denoncohet ky rast. Ndërkohë që është e ndaluar që të kryehn punime në rrugën e liqenit, të paktën kështu konfirmoi Bashkia."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit