Nuk ka tabelë as vertikale as horizontale, qytetari gjobitet nga policja

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.10.2025, 15:50

Rastet e gjobitjeve pa të drejtë nga Policia e Shtetit po kthehen në përditshmëri, veçanërisht në Tiranë, ku duket se më shumë rëndësi ka “numri i gjobave” sesa drejtësia dhe logjika.

Një tjetër episod është regjistruar në rrugën “Hamdi Sulçebe”, ku një qytetar ka denoncuar veprimet arbitrare të një policeje që, sipas tij, ka vendosur gjobë në një vend ku nuk ekziston asnjë tabelë ndaluese, as horizontale, as vertikale. Me pak fjalë, asnjë sinjal që të tregojë se parkimi është i ndaluar.

Në videon e dërguar në redaksi, qytetari tregon momentin kur i afrohet efektives për të kërkuar sqarim mbi shkeljen e supozuar. Përgjigjja? Asnjë fjalë. Policja është larguar në heshtje, pa dhënë asnjë arsye.

Denoncuesi pohon se ky nuk është rasti i vetëm. Policia shfaqet pothuajse çdo ditë në të njëjtin vend për të “kryer planin e gjobave”, ndërkohë që askush nuk vendos të qartësojë rregullat e parkimit.

Në vend që të ruajë rendin, Policia e Shtetit duket se po ushtron një formë presioni ndaj qytetarëve, duke i trajtuar si mjete për të plotësuar kuotat e statistikave. Një sjellje që jo vetëm cenon besimin publik, por edhe e kthen autoritetin e uniformës blu në simbol abuzimi, jo drejtësie.

Denoncimi i qytetarit:

"Përshëndetje! Jemi te rruga Hamdi Sulçebe, pranë 'Concord Center' dhe rruga mund të verifikohet që nuk ka tabela as vertikale as horizontale dhe policia kalon përdit dhe vendos gjoba."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit