Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër, ku inspektori i Hetimit Tatimor, Enea Busukja, 38 vjeç, mbeti i plagosur pas shpërthimit të një automjeti të mbushur me lëndë plasëse. Në deklaratën e tij para policisë, Busukja ka mohuar të ketë konflikte me ndonjë person dhe thotë se nuk ka asnjë dyshim se kush mund të qëndrojë pas këtij atentati.
“Nuk kam konflikte me askënd. Nuk kam asnjë dyshim se nga mund të ketë ardhur kjo ngjarje”, citohet të ketë thënë ai.
Policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, por ende nuk ka të dhëna konkrete për autorët e vendosjes së eksplozivit. Grupi hetimor ka sekuestruar provat e gjetura në vendin e ngjarjes dhe po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe në akset hyrëse të qytetit për të identifikuar autorët.
Hetuesit po përpiqen gjithashtu të rindërtojnë itinerarin e personave të dyshuar, të cilët besohet se janë larguar drejt fshatit Dragoç, ku makina e përdorur në atentat është gjetur e djegur. Hetimi vazhdon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar përgjegjësit.