Prej 26 vitesh nëpër gjykata, shqiptari fiton betejën për shtetësinë britanike

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.10.2025, 09:32

Një histori e gjatë këmbënguljeje dhe beteje ligjore ka përfunduar me fitore për një emigrant shqiptar në Britani.

Gentian Hoti, i cili mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1999, ka fituar të drejtën për të qëndruar përgjithmonë në vend dhe për të mbajtur shtetësinë britanike, pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur plot 26 vjet.

Hoti kishte mbërritur në Britani kur ishte vetëm 15 vjeç, duke përdorur një identitet të rremë. Ai kishte pretenduar se ishte nga Kosova dhe se kishte vuajtur nga autoritetet serbe gjatë luftës, ndërsa në të vërtetë kishte lindur në Shqipëri.

Megjithëse kërkesa e tij për azil u refuzua, autoritetet i dhanë leje të përkohshme qëndrimi, e cila më vonë u shndërrua në leje të përhershme. Në vitin 2005, ai mori shtetësinë britanike, duke ndërtuar jetën e tij në Mbretëri.

Por historia mori kthesë në vitin 2010, kur Ministria e Brendshme (Home Office) hapi një hetim dhe më pas vendosi t’ia anulonte nënshtetësinë, duke pretenduar se ishte marrë përmes mashtrimit. Në vitin 2019, vendimi për t’ia hequr shtetësinë u bë zyrtar, me argumentin se Hoti kishte përdorur identitet të rremë në çdo aplikim.

Pas një beteje të gjatë në gjykata, Gjykata e Lartë britanike vendosi në favor të tij, duke theksuar se Hoti nuk mund të bëhej përgjegjës për veprimet e kryera si i mitur dhe se kishte treguar ndërgjegje dhe transparencë për origjinën e tij shqiptare që prej vitit 2013.

Ky vendim i jep fund një prej proceseve më të gjata të këtij lloji në historinë e emigracionit britanik, duke i lejuar Hotit të mbajë nënshtetësinë dhe të vazhdojë jetën e tij si qytetar britanik me të drejta të plota.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit