I dënuar 25 vite në Greqi për vrasje, u kthye dhe vrau babain e dy fëmijëve në Kalanë e Beratit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.10.2025, 21:21

Detaje tronditëse janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ndodhi pasditen e 28 tetorit në Kalanë e Beratit, ku një baba i dy fëmijëve u vra me thikë për një debat absurd lidhur me një foto me kalë.

Autori i krimit, një 63-vjeçar me precedent penal, rezulton se ka qenë i dënuar me 25 vite burg në Greqi për vrasje, të kryer rreth 25 vite më parë. Pas vuajtjes së dënimit, ai ishte kthyer në Shqipëri dhe kishte filluar të punonte në zonën turistike të kalasë, duke u ofruar turistëve xhiro me kalë dhe fotografi.

Sipas burimeve, ai njihej si person konfliktual dhe problematik, që shpesh kishte pasur debate me turistë dhe çifte që vizitonin zonën, sidomos gjatë sezonit turistik dhe dasmave.

Ngjarja e rëndë ndodhi kur viktima, 42-vjeçari Keli Hoxha nga Tirana, kishte shkuar me bashkëshorten, nënën dhe dy vajzat e tij për të kaluar një ditë në Berat. Ai kishte kërkuar t’u bënte foto vajzave me kalin e autorit, por ky i fundit nuk kishte pranuar. Debati mes tyre degjeneroi fillimisht në përplasje fizike dhe më pas 63-vjeçari goditi me thikë në zemër babain e dy fëmijëve, duke i marrë jetën në vend, në sy të familjes.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ambulancës, viktima mbërriti pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Beratit. Autori u arrestua pak pas krimit dhe aktualisht po hetohet për vrasje me dashje, ndërsa ngjarja ka shkaktuar tronditje dhe zemërim publik, për shkak të brutalitetit dhe absurditetit të motivit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit