Absurd në Tiranë: Qytetari me aftësi të kufizuara parkon ku i lejohet, por policia e gjobit!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.10.2025, 21:26

Në Shqipëri, duket se çdo ditë bëhet më e vështirë të kuptosh logjikën e disa veprimeve të institucioneve, sidomos kur bëhet fjalë për Policinë Rrugore. Ajo që duhet të garantojë rend e drejtësi në trafik, shpesh duket më e zellshme për të mbushur arkat me gjoba, sesa për të zbatuar ligjin me kujdes e njerëzi.

Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një gjobë absurde që i është vendosur, ndonëse ai kishte parkuar automjetin pikërisht në një hapësirë të dedikuar për persona me aftësi të kufizuara, dhe kishte kartën përkatëse të ekspozuar qartë në xhamin e përparmë të makinës.

Sipas gjobës së lëshuar më 18 tetor, ora 22:42, në rrugën “Haxhi Deliu”, qytetari është ndëshkuar me 2 mijë lekë për “pushim mjeti në rrugë kalimi mjetesh”. Mirëpo, siç tregojnë fotot e siguruara nga qytetari, tabela në vendin e parkimit e tregon qartë se hapësira është e rezervuar për persona me aftësi të kufizuara. Pra, në këtë rast, shoferi kishte të drejtë të parkohej aty.

Ironikisht, ndonëse shteti vetë ka caktuar këtë hapësirë si vend parkimi për persona me aftësi të kufizuara, një punonjës policie ka vendosur ta gjobisë pikërisht për këtë arsye. Ndoshta nuk e ka parë simbolin e qartë të invaliditetit, ose ndoshta është ndjerë në detyrim “të tregohet i zellshëm në orarin e punës” me çdo kusht.

“Me vend parkimi për invalidë, vendosin dhe gjoba absurde! Kulmi, shteti jep vend parkimi për invalidë, policia vendos gjobë!”, – është shprehur me indinjatë qytetari për redaksinë tonë.

Nëse policët nuk arrijnë të lexojnë tabelat e qarta të trafikut, ndoshta është koha që disa prej tyre të rikthehen për një “kurs rifreskues” në autoshkollë,i që të mësojnë sërish se ligji nuk është për t’u interpretuar sipas humorit të natës, por për t’u zbatuar me arsyetim dhe dinjitet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit