Pse nuk u parandalua vrasja? “Te lokali ku u vra picieri, pi kafen drejtori i Policisë së Tiranës”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.10.2025, 21:02

Një mesazh ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania pas ngjarjes së rëndë të ndodhur te Komuna e Parisit, ku një picier u vra me thikë pas një sherri absurd për një tas proshute. Qytetari që ka dërguar mesazhin ngre akuza të drejtpërdrejta ndaj Policisë së Tiranës, duke pretenduar se lokali ku ndodhi krimi frekuentohet rregullisht nga efektivë policie dhe vetë drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.

Në mesazhin e tij, qytetari shkruan:

Përshëndetje JOQ, te ky lokali që u vra picieri te Komuna e Parisit rrin gjithë policia e Tiranës dhe drejtori i Tiranës, se ka shtëpinë Elton Alushi. Drejtori i Tiranës që ka banesën dhe pi kafen te ky restorant nuk parandaloi ngjarjen. Policia si mision ka parandalimin, dokumentimin dhe zbulimin e ngjarjeve. Është me ligj.

Ky mesazh ka ngritur një sërë pyetjesh të forta që shkojnë përtej vetë ngjarjes: si është e mundur që një vrasje e tillë ndodh në një zonë që, sipas qytetarëve, është nën “hundën” e policisë? Nëse lokali frekuentohet përditë nga efektivë dhe drejtues të policisë, pse nuk ka pasur asnjë ndërhyrje parandaluese, sidomos kur konflikti, sipas dëshmitarëve, nisi me tone të larta dhe mund të ishte shmangur?

Në reagimet e shumta në rrjet, qytetarët shprehin zhgënjim dhe zemërim për atë që e shohin si dështim të sistemit të sigurisë publike. Sipas tyre, kjo ngjarje është tregues i një realiteti ku policia është më e pranishme në lokale sesa në terren për të parandaluar krimin.

Ndërkohë, deri më tani Policia e Shtetit nuk ka dhënë një reagim lidhur me këtë denoncim publik. Por fakti që një vrasje ndodh në një nga zonat më të populluara dhe të frekuentuara të Tiranës, mes lokaleve ku shkojnë përditë edhe uniformat blu, ka bërë që shumë të pyesin: Nëse siguria mungon aty, ku duhet ta ndiejë qytetari i thjeshtë veten të mbrojtur?

Ngjarja e Komunës së Parisit, ashtu si ajo në Berat apo Durrës, po shndërrohet në një simbol të mungesës së parandalimit, aty ku shteti duhet të ishte më i dukshëm dhe më i pranishëm. Një tragjedi që ndodhi në sy të të gjithëve dhe që, për shumë qytetarë, mund të ishte shmangur me pak vëmendje më shumë nga ata që paguhen për ta parandaluar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit