Një situatë skandaloze është raportuar pas aksidentit të ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Lungomares në Vlorë, ku një automjet përplasi dy gra të moshuara që po kalonin në vijat e bardha.
Një qytetar i ka dërguar redaksisë së JOQ Albania pamje video nga vendngjarja, duke denoncuar mënyrën e papërgjegjshme me të cilën është menaxhuar ndërhyrja e ambulancës. Sipas tij, njëra prej të plagosurve është lënë e shtrirë në mes të rrugës për më shumë se 45 minuta, pasi ambulanca kishte vetëm një barrele dhe mori vetëm një nga të dëmtuarat.
Në mesazhin dërguar redaksisë sonë, qytetari shkruan:
“Ndodhi një aksident sot në Lungomare. Erdhi ambulanca, por më e keqja është që morën vetëm një prej zonjave të dëmtuara, se s’kishin dy barrela, ndërsa tjetra qëndroi në rrugë për më shumë se 45 minuta.”
Në pamjet e siguruara nga qytetari shihet e plagosura që ndodhet e shtrirë në asfalt, ndërsa qytetarë të tjerë përpiqen ta ndihmojnë në pritje të një ambulance tjetër.
Kujtojmë se aksidenti ndodhi rreth orës 17:10, në afërsi të zonës së njohur si “Titaniku”, ku një automjet tip “Fiat” me targa AA174MH, i drejtuar nga Dukë Muço, 72 vjeç, përplasi dy shtetase të moshuara, Vigjilenca Rapi dhe Nermin Mukaj, rreth moshës 70 vjeç, ndërsa kalonin në vijat e bardha.
Të lënduarat u transportuan drejt Spitalit Rajonal të Vlorës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit rezultoi negativ në testin e alkoolit dhe është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim tek qytetarët për mungesën e kapaciteteve minimale të urgjencës në rastet emergjente.