E marta e 28 tetorit mund të konsiderohet lehtësisht e martë e zezë pasi bilanci është tepër i rëndë deri në këtë moment.
Në mesnatë një aksident tragjik i ka marrë jetën një 17-vjeçari në Vlorë. Leandro Shametaj po kthehej nga puna kur rreth orës 00:10, në bulevardin “Ismail Qemali” është përplasur nga automjeti tip “Porsche” me targë AB737UI, i drejtuar nga Haiti Bajramaj, 32 vjeç.
I mituri që po udhëtonte me motor është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por nuk ka mundur të mbijetojë, ndërkohë shoferi që shkaktoi aksidentin është arrestuar pasi ka rezultuar në gjendje të dehur.
Nga ana tjetër, në Shkodër rreth orës 11:35 të mëngjesit, një shpërthim me tritol ka ndodhur në lagjen "Ndoc Mazi” njohur dhe si “Arra e Madhe”. Nga shpërthimi ka mbetur i plagosur Enea Busukja, jashte rrezikut per jeten, inspektor i Hetimit Tatimor në Shkodër.
Në Durrës, 25-vjeçari, Marjan Kodheli, ka vrarë me thikë babanë e tij, Pjetër Kodheli, brenda banesës në fshatin Shkallnur. Sipas hetimeve paraprake, krimi ka ndodhur pas një konflikti të çastit. I riu fillimisht e ka goditur të atin me një dru në kokë, më pas ka marrë thikën e bukës dhe e ka qëlluar në zemër, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në Tiranë, kuzhinieri Filip Shehu ka vrarë me thikë kamarierin Indrit Islamllari, pas një sherri mes kolegësh që përfundoi në tragjedi. Ngjarja ndodhi në zonën e Komunës së Parisit, ku pas një debati të ashpër, autori e goditi Ismaillarin me thikë në pjesën e kraharorit. 34-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por humbi jetën për shkak të plagëve të marra. Autori u arrestua menjëherë nga policia, ndërsa në dëshminë e parë ka thënë se “është zënë me viktimën për punën” dhe se nuk kishte qëllim ta vriste.
Në Berat, rreth orës 15:10, në lagjen e Kalasë, një debat banal për një kalë është kthyer në tragjedi. Sipas burimeve, sherri mes dy burrave ka nisur për shkak të një kali me të cilin autori ofronte xhiro për turistët në zonën historike. Debati ka degjeneruar shpejt në përplasje fizike, ku 63-vjeçari Kristo Mema, alias Kastriot Hoxha, ka goditur me thikë Keli Hoxhën, 42 vjeç, nga Tirana, i cili si pasojë e plagëve ka humbur jetën në vend.