Dy kushërinjtë Gazment dhe Kalosh Peposhi janë dërguar për gjykim nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, pasi dyshohet se kanë blerë vota për Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sipas SPAK, ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë premtuar dhe dhënë para zgjedhësve në Njësinë Administrative Ujmisht në Kukës në këmbim të votës, duke përdorur metoda të ndryshme për të ndikuar në mënyrën e votimit të qytetarëve.
Hetimi ka përfshirë përgjime telefonike dhe vëzhgime, të cilat faktojnë aktivitetin e dyshuar të kushërinjve gjatë fushatës zgjedhore. Sipas njoftimit, të pandehurit kanë qenë aktivë në mbështetje të PSD-së, duke shpërndarë mjete monetare për të ndikuar zgjedhësit dhe për të siguruar vota në favor të partisë.
Arrestimi i 27-vjeçarit Kalosh Peposhi u krye një ditë para zgjedhjeve, ku iu sekuestruan 205.500 lekë, 525 euro, një iPhone dhe një automjet Mercedes Benz. Ndërkohë, Gazment Peposhi, i cili është edhe kryeplak i fshatit Lusen, vazhdon të jetë në kërkim nga autoritetet, ndërsa SPAK njofton se hetimet dhe ndjekja ligjore do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.