Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku 17-vjeçari që shihni në foto, Leandro Shametaj, humbi jetën pas një aksidenti tragjik.
Aksidenti ndodhi rreth orës 00:10 të datës 28 tetor 2025, në bulevardin “Ismail Qemali”. Sipas burimeve zyrtare, automjeti tip “Porsche” me targë AB737UI, i drejtuar nga Haiti Bajramaj, 32 vjeç, përplasi me forcë motomjetin me targë CA305, që drejtohej nga Shametaj.
Goditja rezultoi fatale. I riu, i cili punonte si kamarier dhe po kthehej në shtëpi pas turnit të mbrëmjes, u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë pak pas mbërritjes.
Nga hetimet paraprake, mësohet se drejtuesi i automjetit ka qenë në gjendje të dehur në momentin e përplasjes dhe udhëtonte tej normave të lejuara të shpejtësisë.
Tragjedia e natës ka ngjallur reagime të forta në qytet, ku shumë të rinj e kanë njohur Leonardon si një djalë të qetë e punëtor, ndërsa familjarët e tij kërkojnë drejtësi për humbjen e parakohshme të të birit.
