PS-PD provuan sërish që janë bashkë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 28.10.2025, 10:26

Në Kuvendin e Shqipërisë dje, mjaftuan vetëm dy orë seancë parlamentare për të parë një tjetër bashkëpunim mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të mbushur me justifikime politike dhe debate të pafrytshme.

Ashtu si në shumë raste të tjera, kur bëhet fjalë për ligje me interes të përbashkët, PS dhe PD gjejnë “mrekullisht” gjuhën e përbashkët dhe miratojnë aktet brenda pak minutash, pa ndonjë debat real.

Kështu ndodhi edhe me ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku të dyja palët bashkuan votat, duke anashkaluar përfaqësuesit e partive të vogla. Këto të fundit, ndonëse kanë një vend në komision, mbeten thjesht spektatorë të procesit.

Për të justifikuar këtë bashkëpunim, në sallë morën fjalën kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili do të jetë bashkëkryetar i komisionit.

Berisha, me retorikën e tij të zakonshme se “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira”, këtë herë e arsyetoi bashkëpunimin duke theksuar se bëhej fjalë për një kërkesë të OSBE/ODIHR, një kërkesë që, siç nënvizon ai, përsëritet në çdo raport zgjedhor. Sipas Berishës, PD sa herë merr pjesë në procese të tilla, përfundon si fasadë e fitoreve të Edi Ramës, duke dalë gjithmonë me humbje edhe më të mëdha.

“Ne sot votuam ngritjen e këtyre dy komisioneve për dy arsye themelore. Së pari, janë një seri e pafundme rekomandimesh të OSBE/ODIHR, të cilat i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme. OSBE/ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi zgjedhjet e 11 majit si një farsë të shëmtuar. Në këtë kontekst, ndjehemi të detyruar që rekomandimet e drejta t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se me Edi Ramën shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë. Së dyti, reforma territoriale ishte një antireformë që solli pabarazi të theksuar,” tha Berisha.

Nga ana tjetër, Gjiknuri iu përgjigj drejtpërdrejt kritikave të partive të vogla, të cilat kundërshtuan ngritjen e komisionit, duke i quajtur ankesat e tyre “zhurmë të kotë”. Ai theksoi se të gjitha partitë janë të përfaqësuara në komision, por e drejta e votës i takon vetëm dy forcave kryesore.

“Të gjitha partitë janë të përfaqësuara aty dhe çështja e votës është irrelevante, sepse votën e ka të barazvlefshme me veton e bashkëkryetarit. Është e pamundur t’i akomodosh të gjitha partitë opozitare me të drejtë vote, sepse janë 13 në total. Secili mund të bëjë propozime, por votën e kanë dy forcat e mëdha,” tha Gjiknuri.

Pas miratimit të ngritjes së komisioneve pa kundërshtime, për të “balancuar” imazhin e bashkëpunimit, PS dhe PD u përplasën më pas në një debat bosh mbi mënyrën se si do të bëhen pyetjet ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë që pritet të raportojnë në Kuvend.

Për më shumë se një orë, seanca u kthye në një sërë debatesh shterpë dhe akuzash të ndërsjella, ndërkohë që kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prisnin në sallë që t’u jepej fjala.

Sipas të gjitha gjasave, ky “teatër” i përsëritur politik në Parlament synoi që raportimi i Dumanit të kalojë pa zhurmë dhe pa pyetje të drejtpërdrejta mbi dosjet e hapura të zyrtarëve të qeverisë dhe opozitës në SPAK përfshirë edhe atë më të fundit që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit