Një aksident tragjik ka ndodhur pas mesnate në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet i cili udhëtonte tej normave të lejuara të shpejtësisë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 00:10 të datës 28 tetor 2025, në bulevardin “Ismail Qemali”. Sipas informacioneve zyrtare, automjeti me targë AB737UI, i drejtuar nga Haiti Bajramaj, 32 vjeç, është përplasur me motomjetin me targë CA305, që drejtohej nga Leandro Shametaj, vetëm 17 vjeç.
Përplasja ka qenë shumë e fortë. I riu u transportua menjëherë me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë pak pas mbërritjes në spital.
Drejtuesi i automjetit, Haiti Bajramaj, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar shkakun dhe rrethanat e plota të aksidentit fatal.
Sipas dëshmitarëve okularë, përplasja ka ndodhur me shpejtësi të lartë dhe ka qenë fatale për të miturin, i cili dyshohet se ka ndërruar jetë menjëherë pas goditjes.
Në spital ndodhen familjarët e 17-vjeçarit, të tronditur dhe të revoltuar nga ngjarja e rëndë. Ata pretendojnë se nuk po marrin informacion të qartë nga autoritetet, ndërsa trupi i të ndjerit është mbajtur për ekspertizë mjeko-ligjore (autopsi).