Arben Ahmetaj i përgjigjet Altin Dumanit pas ftesës për bashkëpunim me drejtësinë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.10.2025, 23:39

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar pas deklaratës së kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili në Kuvend u shpreh se Ahmetaj është “i mirëpritur nëse dëshiron të bëhet i penduar”.

Në një intervistë telefonike në emisionin “Çim Peka Live”, Ahmetaj tha se nuk ka arsye të bashkëpunojë me drejtësinë, pasi sipas tij nuk ka kryer asnjë krim.

“Edhe në aspektin ligjor, bashkëpunëtor i drejtësisë është ai që ka kryer krim. Unë nuk kam pse të jem bashkëpunëtor, sepse nuk kam kryer asnjë vepër penale. Kur kryeprokurori i SPAK i drejtohet Parlamentit dhe thotë ‘ky është i mirëpritur të bashkëpunojë’, kjo do të thotë se nuk ekziston më prezumimi i pafajësisë. Sot unë jam shembulli i dhjetë standardeve të ndryshme në drejtësi”, deklaroi Ahmetaj.

Ai shtoi se do të rikthehet në Tiranë “vetëm kur të dalë e vërteta”, duke theksuar se nëse do të ishte arrestuar, “nuk do të dilte gjallë nga burgu”.

Sipas tij, akuzat ndaj tij janë të pabazuara dhe kanë prapaskenë politike:

“Prokurori Gokaj vetë ka thënë se akuza që unë kam dëmtuar interesat e shtetit ishte lapsus. E megjithatë, mediat janë mbushur me lajme që unë paska shkaktuar dëm 7 milionë euro. Në të vërtetë, unë kam mbrojtur interesat e shtetit. Nëse do kisha shkelur ligjin, sot paratë e shqiptarëve do t’i merrte privati. Unë kam qenë kundër inceneratorëve që në fillim dhe nuk kam asnjë firmë aty.”

Ahmetaj akuzoi kreun e SPAK se po vepron me urdhra politikë dhe se reforma në drejtësi ka dështuar. Ai përmendi edhe çështjen “McGonigal”, duke pyetur pse SPAK nuk merret me të.

“Kam qenë vetë në SPAK me avokatin tim. Altin Dumani nuk guxoi të më bënte asnjë pyetje. E mori me zell dhe me dhunë dosjen time me urdhër politik. Reforma në drejtësi ka dështuar sepse ka standarde sipas qejfit dhe sipas porosive politike. Kush është armik i Ramës, arrestohet dhe nxirret zvarrë në rrugë”, u shpreh Ahmetaj.

Në vijim, ai renditi dhjetë pyetje drejtuar kreut të SPAK, Altin Dumani:

10 pyetjet e Ahmetajt për Dumanin

1- Çfarë indicie ka marrë, për Thumanë-Kasharin që është bërë pa tender?! Që është ndryshuar formati i koncesionit pa procedurë të re dhe paguajnë shqiptarët 1.3 miliardë. Kjo është?

2- Çfarë indicie ka marrë për IPARD-in, po ulëret BE?

3- Cila është arsyeja që nuk hetohet. Çfarë arsye ka që Onkologjiku në vend që t'i shërojë, dhe jo për faj të mjekëve, çfarë arsye ka që nuk hetohet te Onkologjiku, rimbursimi i barnave.

4- Kam bërë sherr unë për këto. Sherr. Po kam bërë sherr për naftën në Shëngjin. Pse nuk i heton?

5- Pse nuk merret me inceneratorin e Tiranës. Ku janë paratë, te hotelet e mia të supozuara janë paratë? Pse nuk merret me kontratën e koncesionit të Tiranës? Pse nuk merret?

6- Sa për dijeni, kush e ka lexuar kontratën, 29 eurot që paguajnë qytetarët nëpërmjet bashkisë së Tiranës janë për mbulimin e mbetjeve dhe për incenerim. Cila është arsyeja që shqiptarët paguajnë trefishin tani që nuk kanë incenerim?

7- Pse bëhet pronar i dëmit, Altin Dumani?

8- Pse nuk merret me Becchetin, indicie, vajtën 4-5-7 vite. U mor me mua me urdhër politik për 1 muaj e gjysëm dhe nxorri dhe urdhër arresti. Dhe jam i bindur e kam thënë, që kur kam pasur dyshim. Tani nuk kam më dyshim, që më kanë dashur të varur dhe të vdekur, prandaj deshën që të shkoja në burg.

9- Kujt i thotë ky akuzohet për korrupsion, për inceneratorët? Nuk kam asnjë firmë, nuk kam asnjë lidhje me procedurën e inceneratorëve.

10- Pse nuk merret me McGonigal. Ky thotë jemi duke hetuar, shqiptarët duartrokasin. 5 veta duartrokasin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit