Përleshje të dhunshme mes vendasve dhe turqve në Podgoricë, Mali i Zi rikthen vizat për Turqinë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.10.2025, 18:18

Mali i Zi ka pezulluar përkohësisht regjimin pa viza për qytetarët turq, pas disa ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në fundjavë në Podgoricë.

Vendimi u mor pas incidentit ku një shtetas malazez u plagos me thikë nga një grup personash turq dhe azerbajxhanas, ngjarje që më pas shkaktoi reagime të forta dhe akte vandalizmi kundër turqve në qytet.

Sipas policisë, dy persona, një turk dhe një azerbajxhanas, janë arrestuar si autorë të plagosjes, ndërsa rreth 45 të tjerë, kryesisht shtetas nga Turqia dhe Azerbajxhani, u ndaluan për verifikime lidhur me qëndrimin e tyre në vend. Tetë prej tyre janë dëbuar, ndërsa shtatë janë gjobitur.

Pas ngjarjes, disa banorë të Podgoricës kanë sulmuar lokale dhe automjete me targa turke, ndërsa një restorant në pronësi të një shtetasi turk u shkatërrua plotësisht. Policia ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe paralajmëroi kontrolle të shtuara ndaj të huajve që qëndrojnë në territorin e Malit të Zi.

Kryeministri Milojko Spajiç tha se vendimi për pezullimin e regjimit pa viza është marrë për “të ruajtur rendin dhe sigurinë publike”, ndërsa paralajmëroi që Turqia dhe Mali i Zi do të zhvillojnë bisedime për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Presidenti Jakov Milatoviç dhe ministri i Jashtëm Ervin Ibrahimoviç dënuan ashpër dhunën, duke bërë thirrje për qetësi dhe duke theksuar se “nuk duhet të ketë ndëshkim kolektiv apo stigmatizim të një populli të tërë”.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Danilo Sharanoviç deklaroi se në Mal të Zi jetojnë rreth 13 mijë shtetas turq, dhe se institucionet do të garantojnë sigurinë e tyre, por edhe respektimin e ligjeve të vendit.

Zyrtarisht, vendimi për pezullimin e regjimit pa viza do të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa për shtetasit turq që duan të udhëtojnë apo të qëndrojnë në Mal të Zi do të zbatohet një procedurë e përshpejtuar për marrjen e vizës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit