Një numër i madh efektivësh të Policisë së Tiranës është parë pasditen e sotme në kryqëzimin midis rrugëve të Ish-Parkut dhe Pallatit me Shigjeta, pranë një karburanti. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit Nr. 2 dhe forcat “Shqiponja”, pas një sinjalizimi për një incident në zonë.
Sipas pamjeve të siguruara, disa efektivë janë parë duke debatuar me një qytetar, por ende nuk dihen shkaqet dhe rrethanat e konfliktit. Kalimtarët janë ndalur të shohin situatën, ndërsa disa kanë filmuar momentin me telefon.
Pas pak minutash, në ndihmë të policëve kanë mbërritur edhe forcat “Shqiponja”, të cilat kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Policia nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen.