Banorët e fshatit Trush në Shkodër, një prej fshatrave më të mëdhenj në Shqipëri, po përballen sërish me përmbytje pas reshjeve të fundit të shiut. Siç shihet në pamjet e dërguara, rrugët janë kthyer në lumenj të vegjël, duke e bërë të pamundur qarkullimin e banorëve dhe automjeteve.
Sipas një banori, rruga kryesore e fshatit është lënë pas dore prej kohësh nga Bashkia Shkodër me kryetar Benet Beci dhe qeveria, duke mos marrë asnjë masë për mirëmbajtjen e saj apo ndërtimin e kanaleve kulluese. “Sa herë bie shi, ne izolohemi. Asnjë institucion nuk vjen të na ndihmojë,” shprehet ai.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të shmangur përsëritjen e situatës, pasi përmbytjet e shpeshta po dëmtojnë pronat, tokat bujqësore dhe po e bëjnë jetesën gjithnjë e më të vështirë në zonë. Ata apelojnë që institucionet vendore dhe qendrore të ndërhyjnë për të zgjidhur përfundimisht problemin kronik të ujërave në Trush.