Durimi i Juventusit duket se ka marrë fund. Pas humbjes me Lazion në mbrëmjen e së dielës, trajneri kroat Igor Tudor është në prag të largimit nga stoli bardhezi. Ishte disfata e tretë radhazi për “Zonjën e Vjetër”, duke përfshirë kampionatin dhe Ligën e Kampioneve, një seri që ka ndezur alarmin në Torino.
Në këtë moment, Juventusi ka vendosur t’ia besojë drejtimin e përkohshëm të skuadrës Massimo Brambillas, aktualisht trajner i ekipit Next Gen, ndërsa drejtuesit pritet të përcaktojnë në ditët në vijim pasuesin e përhershëm të Tudor.
Lista e kandidatëve është e gjatë dhe përfshin emra të njohur si brenda ashtu edhe jashtë Italisë. Në skenën italiane spikatin Luciano Spalletti dhe Roberto Mancini, ndërsa Raffaele Palladino shihet si një opsion i pëlqyer nga drejtori teknik Modesto, me të cilin ka bashkëpunuar te Monza.
Në arenën ndërkombëtare, zyrat e Juventusit po shqyrtojnë gjithashtu profile si Edin Terzić, Marco Rose, Xavi Hernandez dhe Gareth Southgate. Megjithatë, një gjë është e qartë: Thiago Motta nuk do të rikthehet në stol. Ai mbetet nën kontratë me klubin deri në vitin 2027, dhe kjo situatë kontraktuale është një prej pengesave që “Zonja e Vjetër” duhet të menaxhojë me kujdes përpara se të marrë përsipër koston e një trajneri të tretë në bordero.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në orët në vijim, ndërsa shumëçka do të varet edhe nga paraqitja e skuadrës në ndeshjen e ardhshme kundër Udineses.