Dy muaj pa shërbim mjekësor, banorët e revoltuar kërkojnë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.10.2025, 10:16

Banorët e zonës së rrugës “Irfan Tomini” në Tiranë kanë ngritur një apel publik ndaj autoriteteve shëndetësore, duke kërkuar transparencë dhe rikthimin e menjëhershëm të shërbimit mjekësor në Qendrën Shëndetësore Nr. 8, pika 3, e cila sipas tyre qëndron e mbyllur prej më shumë se dy muajsh.

Sipas denoncimeve të tyre, godina është mbyllur me arsyetimin se do të kryheshin punime restaurimi, por deri më tani ata thonë se nuk është kryer asnjë ndërhyrjeje apo aktivitet në terren. Banorët theksojnë se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar nga institucionet për afatet, natyrën apo qëllimin e punimeve. Mungesa e informacionit ka shkaktuar pasiguri të madhe në komunitet, ku po qarkullojnë zëra se godina mund të jetë planifikuar për shembje dhe ndërtim pallati.

Ndërkohë që shërbimet mjekësore janë zhvendosur përkohësisht pranë shkollës “Vasil Shanto”, banorët e konsiderojnë këtë zgjidhje të papërshtatshme, duke raportuar se pacientët detyrohen të presin në këmbë dhe në kushte jo të favorshme higjienike, çka e bën situatën edhe më të vështirë, sidomos për të moshuarit dhe fëmijët me probleme kronike.

Përmes apelit të tyre, banorët kërkojnë ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar transparencë të plotë mbi situatën dhe një zgjidhje të menjëhershme. Ata kanë kërkuar shpjegim të detajuar për arsyet e mbylljes dhe planin e punimeve, vendosjen e një tabele informuese në hyrje të qendrës me datat e fillimit dhe përfundimit të punimeve, rikthimin e menjëhershëm të shërbimeve nëse restaurimi ende nuk ka nisur, si dhe gjetjen e një objekti alternativ brenda lagjes që plotëson kushtet e nevojshme në rast se punimet kërkojnë kohë.

Banorët kanë theksuar se nuk kërkojnë asgjë më shumë veçse të drejtën për kujdes shëndetësor pranë shtëpive të tyre, duke apeluar që institucionet përgjegjëse të reagojnë për një çështje që prek dhjetëra familje të zonës.

Denoncimi i banorëve:

Pershendetje JOQ! Nese eshte e mundur, Duam te dërgojmë nje apel publik lidhur me mbylljen prej më shumë se dy muajsh të Qendrës Shëndetësore Nr. 8, e cila vazhdon të qëndrojë e mbyllur pa asnjë shenjë punimesh apo njoftim zyrtar. Do ju falënderonim shumë nëse e publikoni për të ndihmuar në sensibilizimin e institucioneve për këtë çështje që prek dhjetëra familje të zonës.

Banorët e zonës së Rrugës “Irfan Tomini” në Tiranë kanë ngritur një apel publik për autoritetet shëndetësore, duke kërkuar transparencë dhe rikthimin e menjëhershëm të shërbimit mjekësor pranë lagjes së tyre.

Prej më shumë se dy muajsh, Qendra Shëndetësore Nr. 8, pika 3 është mbyllur me arsyetimin se do të kryhen punime restaurimi, por sipas banorëve, punimet nuk kanë filluar ende dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar për fatin e godinës.

Në terren qarkullojnë zëra se objekti mund të jetë planifikuar për shembje dhe ndërtim pallati, çka ka shkaktuar pasiguri të madhe në komunitet. “Na thanë se do bëhej restaurim, por prej muajsh s’ka lëvizur asnjë tullë. Ndërkohë jemi pa qendër shëndetësore në mes të Tiranës,” – shprehen banorët. Përkohësisht, shërbimet janë zhvendosur pranë shkollës “Vasil Shanto”, por banorët e konsiderojnë këtë zgjidhje të papërshtatshme, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët kronikë. “Pacientët presin në këmbë, pa kushte minimale higjienike. Kjo është e papranueshme,” – thuhet nga dhjetëra banorë te cilet kane kerkuar sherbim atje.

Banorët kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë: 1. Transparencë të plotë për arsyet e mbylljes dhe planin e punimeve; 2. Vendosjen e një tabele informuese në derën e qendrës, me datat e fillimit dhe përfundimit të punimeve; 3. Rikthimin e menjëhershëm të shërbimeve, nëse punimet nuk kanë nisur ende; 4. Nëse restaurimi kërkon kohë, të gjendet një objekt alternativ brenda lagjes me kushte të përshtatshme. “Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse të drejtën për kujdes shëndetësor pranë shtëpive tona,” – sipas banorëve te “Irfan Tominit”. Duke Ju falenderuar!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit