Dy turistë suedezë, nënë e bir, janë raportuar të humbur këtë të dielë në Parkun Kombëtar të Llogorasë. Gruaja 61-vjeçare dhe djali i saj 23-vjeçar kishin nisur në mëngjes një udhëtim eksplorues në zonën malore, por pas disa orësh çdo kontakt me ta është ndërprerë.
Sipas informacioneve paraprake, turistët kanë dërguar një sinjal SOS, i cili është kapur nga autoritetet greke, pasi në zonën e Karaburunit mungon mbulimi me sinjal telefonik nga rrjetet shqiptare. Pas njoftimit të autoriteteve greke, strukturat shqiptare të emergjencave janë vënë menjëherë në lëvizje.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar forcat e Emergjencave Civile, policia e Vlorës dhe specialistë të zonave të mbrojtura. Kërkimet po zhvillohen në disa drejtime, ndërsa terreni i thyer malor, errësira dhe moti me shi po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen.
Autoritetet po bashkëpunojnë edhe me banorët e zonës për të gjetur ndonjë gjurmë të turistëve, ndërsa dyshohet se ata mund të kenë humbur në afërsi të Karaburunit, pas përshkimit të pyjeve të Llogorasë.
*Foto e përdorur në këtë artikull është vetëm ilustruese dhe nuk lidhet direkt me ngjarjen *