Një situatë e pazakontë është regjistruar këtë fundjavë në Lituani, ku autoritetet u detyruan të mbyllin përkohësisht aeroportin e kryeqytetit Vilnius dhe pikat kufitare me Bjellorusinë, pasi disa objekte të panjohura hynë në hapësirën ajrore të vendit.
Sipas Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, objektet janë identifikuar si balona helium, të ngjashme me ato që janë parë edhe ditët e fundit. Ky është incidenti i katërt i tillë vetëm gjatë kësaj jave, duke ngritur shqetësime për sigurinë ajrore dhe marrëdhëniet e tensionuara me fqinjin lindor.
Autoritetet lituaneze kanë deklaruar se balonat përdoren nga kontrabandistët për transportimin e cigareve nga Bjellorusia, por një pjesë e qeverisë i ka drejtuar gishtin edhe vetë presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko, aleat i ngushtë i Vladimir Putinit, duke e akuzuar se nuk ka bërë asgjë për ta ndaluar këtë praktikë.
Trafiku ajror në aeroportin e Vilniusit u pezullua deri në orën 23:40 GMT, ndërsa kufiri me Bjellorusinë do të qëndrojë i mbyllur deri në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Lituanisë, e parashikuar të zhvillohet të hënën.
Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji. Gjatë javës, autoritetet kanë mbyllur përkohësisht aeroportin edhe të martën, të premten dhe të shtunën, si dhe më 5 tetor, për të njëjtën arsye, hyrjen e balonave në hapësirën ajrore të kryeqytetit.