‘El Clasico’ i përket Real Madrid, Barcelona mposhtet 2-1 në ‘Bernabeu’

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.10.2025, 18:59

Spektakël, tension dhe emocione deri në sekondat e fundit në “Santiago Bernabeu”, ku Real Madrid triumfoi ndaj Barcelonës me rezultatin 2-1 në një tjetër El Clasico që do mbahet mend gjatë. Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso i dha fund serisë prej katër humbjes radhazi të Real Madrid ndaj katalanasve në përballjet direkte të sezonit të kaluar.

“Galaktikët” kaluan të parët në avantazh në minutën e 22-të falë një goli të Kylian Mbappé, që përfitoi nga një aksion i shpejtë në zonën katalanase pas një asisti perfekt nga Jude Bellingham. Por Barcelona reagoi menjëherë dhe barazoi shifrat në minutën e 38-të me anë të Fermin Lopez, i cili shënoi pas një gabimi në mesfushë të Arda Guler dhe një asisti nga Marcus Rashford, duke rikthyer ekuilibrat.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, pikërisht në minutën e 43-të, Jude Bellingham riktheu avantazhin për madrilenët. Goli erdhi pas një aksioni të nisur nga Vinícius Junior, i cili pasoi te Éder Militao, ky i fundit ktheu topin në zonë ku Bellingham ishte i pozicionuar perfekt për ta dërguar në rrjetë, duke mbyllur fraksionin e parë me shifrat 2-1 në favor të Realit.

Në pjesën e dytë, Mbappé pati mundësinë të thellonte rezultatin nga pika e bardhë, por penalltia e tij u ndal në mënyrë fantastike nga portieri i Barcelonës, Wojciech Szczesny. Kjo ndërhyrje i dha zemër katalanasve, të cilët shtynë fort për barazim me raste nga Yamal dhe Pedri, por mbrojtja e Realit me portierin Thibaut Courtois qëndroi e pathyeshme deri në fund, duke ruajtur rezultatin 2-1.

Ndeshja u mbyll mes tensioneve, teksa në minutën e 90+10-të Pedri u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli ndaj Tchouaméni, duke ndezur gjakrat mes lojtarëve të dy ekipeve, madje edhe në stol mes stafit, duke shkaktuar përplasje edhe pas vërshëllimës së fundit.

Kjo fitore e çmuar në raundin e 10-të të La Ligës e shkëput skuadrën e Real Madrid me pesë pikë nga katalanasit e vendit të dytë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit