Një qytetar nga Përmeti ka dërguar një denoncim anonim, ku ngre akuza të forta për mungesë transparence dhe favorizim në një proces punësimi në Bashkinë Përmet. Sipas tij, së fundmi është bërë një emërim në pozicionin e “elektricistit” pa asnjë njoftim publik apo shpallje zyrtare në faqet dhe portalet përkatëse.
Sipas qytetarit, njoftimi për vendin e lirë të punës është vendosur vetëm në muret e bashkisë, në mënyrë që të mos binte në sy të askujt dhe të krijohej mundësia për të punësuar një person të paracaktuar. “Ky është një shembull klasik i punësimeve klienteliste që bëhen në heshtje, pa garë dhe pa respektuar ligjin për nëpunësin civil”, thuhet në denoncim.
Denoncuesi zotëron komunikime zyrtare përmes email-it, ku vetë bashkia pranon se njoftimi është bërë “vetëm fizikisht” në ambientet e institucionit. “Ky veprim nuk është as transparencë dhe as respektim i ligjit. Është një mënyrë për të fshehur garën dhe për t’i mbyllur derën çdo qytetari që kërkon një mundësi të ndershme punësimi”, shprehet ai.
Sipas qytetarit, ky rast tregon qartë si funksionon “transparenca” në praktikë, ku punësimet bëhen brenda zyrave, njoftimet ngjiten në mure, dhe publiku mëson gjithçka vetëm pasi vendi i punës është zënë. Ai kërkon që rasti të bëhet publik, “që njerëzit të kuptojnë se në disa bashki ligji është vetëm në letër”.
Denoncimi i plotë i qytetarit:
Përshëndetje JOQ, Dua të bëj një denoncim qytetar anonim në lidhje me një rast punësimi pa transparencë në Bashkinë Përmet.
Kohët e fundit, në këtë bashki është bërë një emërim në vendin e punës “elektricist” pa asnjë njoftim publik në portalet apo faqet zyrtare. Sipas informacioneve të brendshme, njoftimi për këtë vend pune është ngjitur vetëm në muret e bashkisë, në mënyrë që të mos kuptohej nga publiku dhe të favorizohej një person i vetëm.
Ky është një shembull tipik i punësimeve klienteliste që bëhen pa garë dhe pa respektuar ligjin “Për nëpunësin civil”. Rasti është dokumentuar me komunikime zyrtare përmes email-it, ku vetë bashkia pranon se njoftimi është vendosur vetëm fizikisht në ambientet e institucionit.
Ky veprim është abuziv dhe i padrejtë ndaj qytetarëve që kërkojnë një mundësi reale punësimi. Kërkoj ta bëni publik që qytetarët të shohin si funksionon “transparenca” në Bashkinë Përmet.
Faleminderit që jeni zëri i qytetarëve.





