Policia Kufitare e Kakavijës ka njoftuar se të hënën, më 27 tetor 2025, pika e kalimit kufitar në Kakavijë do të jetë e bllokuar për qarkullimin e automjeteve, për shkak të një greve të paralajmëruar nga doganierët grekë. Sipas autoriteteve, kufizimi do të zgjasë nga ora 06:00 deri në orën 10:00, me orën shqiptare.
Gjatë kësaj periudhe, nuk do të lejohet kalimi i mjeteve në të dyja drejtimet, ndërsa përjashtim do të bëjnë vetëm automjetet që kanë emergjenca shëndetësore, si dhe këmbësorët pa bagazhe. Autoritetet greke kanë njoftuar palën shqiptare përmes Qendrës së Përbashkët të Shkëmbimit të Informacionit në Kakavijë për këtë vendim të përkohshëm.
Policia Kufitare e Kakavijës u bën thirrje qytetarëve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Greqisë ose Shqipërisë gjatë së hënës, të rishikojnë oraret e udhëtimit dhe të shmangin periudhën e bllokimit. Institucioni kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe siguron se do të informojë në kohë për çdo ndryshim të situatës në kufi.