Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Saltusio, Itali, ku një turist për pak sa nuk humbi jetën pasi ndoqi verbërisht udhëzimet e GPS-it.
Sipas mediave italiane, turisti po udhëtonte me Porsche-n e tij luksoze, kur GPS-i i sugjeroi një rrugë “më të shkurtër”. Pa e ditur se ç’e priste, ai ndoqi udhëzimet dhe përfundoi në një rrugë të ngushtë rurale, e cila më pas u kthye në një shteg me dhe.
Pasi kishte përshkuar rreth 300 metra, kuptoi se rruga ishte pa dalje. Teksa tentonte të bënte një kthesë U, makina rrëshqiti dhe u ndal vetëm pak centimetra larg buzës së një shkëmbi.
Për fat të mirë, shoferi shpëtoi pa asnjë lëndim. Ai la makinën në vend dhe më pas u largua për të kërkuar ndihmë. Gjatë rrugës takoi pronarin e fermës, i cili kishte parë automjetin e bllokuar mbi humnerë dhe njoftoi menjëherë zjarrfikësit.