“Inxhinieri Guri punonte për ‘Alb Building’, nuk ka asnjë siguri në punë”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 25.10.2025, 15:51

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten, më 24 tetor, rreth orës 14:00, në kantierin e ndërtimit të rrugës Peqin–Elbasan, ku ka humbur jetën inxhinieri Guri Dashi, punonjës dhe drejtor kantieri pranë kompanisë “Alb Building” sh.p.k.

Sipas burimeve, Dashi ka rënë nga ura e re që po ndërtohej gjatë procesit të montimit të trarëve, duke marrë plagë të rënda që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ai është transportuar me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ka mbërritur pa shenja jete.

Një prej miqve të inxhinierit, që ka ndarë lajmin për JOQ, shprehet i indinjuar për raportimin me vonesë në media për këtë ngjarje, teksa akuzon kompaninë për mungesë sigurie në punë.

Mesazhi i shokut të viktimës:

Te Premten, 24 tetor, në drekë, rreth orës 2 të drekës, ka ndërruar jetë një inxhinier që punonte për “Alb Buailding” në aksin e rrugës Peqin – Elbasan. Kompanitë e ndërtimit punojnë pa personelin e mjaftueshëm sepse nuk ngopen. Unë e kam pasur shok, kishte rënë nga ura e re që po ndërtohej gjatë procesit të montimit të trarëve të urës. Ka qenë drejtori i kantierit për “Alb Building” sh.p.k. Ka mbërritur pa jetë në spital. Këtu punohet pa kushte sigurie.

Edhe një i afërm i të ndjerit, kushëriri i tij, ka konfirmuar për JOQ se kompania ka tentuar të mos e bëjë publike ngjarjen.

Kushëriri i të ndjerit:

Një aksident me rast vdekjeje ka ndodhur në kantierin e ndërtimit të rrugës në Peqin është fshehur nga autoritetet dhe kompania. Jam kushëriri i tij kjo punë është fshehur në fillim nga kompania.

Rasti i Guri Dashit ngre edhe një herë shqetësimin për mungesën e standardeve të sigurisë në kantierët e ndërtimit në vend, ku punëtorët shpesh rrezikojnë jetën në kushte të rënda pune.

Në 10 vitet e fundit, kompania “Alb-Building”, në pronësi të Pëllumb Beta dhe Odhise Bresha, ka fituar një numër të madh tenderësh publikë me vlerë mbi 100 milionë euro. Ajo renditet ndër shoqëritë e ndërtimit që përfitojnë më shumë nga kontratat shtetërore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit