Portieri i Barcelonës, Wojciech Szczesny, ka dhënë një mesazh sfidues, por edhe admirues, përpara El Clásico të së dielës në Santiago Bernabéu, ku ylli i Real Madridit, Kylian Mbappé, do të jetë sërish një sfidues i njohur për të.
Në një intervistë , Szczesny hodhi poshtë çdo ide frike, pavarësisht statistikave impresionuese të Mbappé kundër tij: tetë gola në pesë takime, përfshirë pesë vetëm sezonin e kaluar. “Jo, jo frikë, por shumë respekt,” tha portieri polak. “Kylian është aktualisht një nga lojtarët më të mirë në botë, një kërcënim i vazhdueshëm përpara portës dhe padyshim ka talent për të më mposhtur edhe mua.”
Me Barcelonën të detyruar ta aktivizojë Szczesnyn për shkak të dëmtimit të meniskut të Joan Garcías, sfida merr një rëndësi të madhe, duke u përballur dy skuadra të para në tabelë. Një fitore e Real Madridit mund t’i japë atyre një avantazh prej pesë pikësh ndaj kampionëve në fuqi.
Mbappé, golashënuesi më i mirë i La Ligas me 10 gola dhe 2 asiste në 9 ndeshje, mbërrin në formën më të mirë, pas fitimit të çmimit të Lojtarit të Muajit të Shtatorit. Szczesny pranoi se statistikat e sulmuesit francez janë të frikshme, por edhe një kompliment për cilësinë e tij: “Nuk mendoj se dikush tjetër i është afruar shënimit të kaq shumë golave kundër meje në pesë ndeshje. Është një kompliment i madh për talentin e tij.”