150 kg kanabis në gomonen e fundosur në Igumenicë, ‘Çimoni’ i skeduar më parë për trafik ndërkombëtar

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 25.10.2025, 12:39

Rreth 150 kilogramë kanabis janë gjetur të fshehura me kujdes në një gomone që u fundos një ditë më parë në ujërat mes Igumenicës dhe Korfuzit, në zonën e njohur si Prasoudi. Lënda narkotike ishte ndarë në disa pjesë dhe sistemuar në trupin e mjetit lundrues, duke treguar qartë një skemë të mirëorganizuar trafiku.

Autoritetet greke publikuan edhe fotografinë e gomones, e cila dyshohet se përdorej për transportimin e drogës. Gjatë kontrollit, në bord u gjet 50-vjeçari Edmond Musa, i njohur ndryshe si “Çimoni”, person me precedentë penalë në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u nxor nga mjeti dhe u dërgua menjëherë në spital, ku po merr trajtim mjekësor.

Pas stabilizimit të gjendjes, Musa është arrestuar nga autoritetet për veprat penale “kalim i paligjshëm i kufirit” dhe “mbytje të mjetit lundrues”. Policia, e cila u rikthye sërish në vendin e ngjarjes, gjeti gomonen e fundosur dhe konfirmoi praninë e sasisë së madhe të drogës në brendësi të saj.

Ndërkohë, është hapur një hetim i gjerë ndërkombëtar për zbardhjen e rrjetit të trafikut që dyshohet se ka origjinën në Shqipëri dhe destinacion Greqinë, ndërsa autoritetet e të dy vendeve po bashkëpunojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë linjë të trafikut detar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit