Naftëtarët e Marinzës në ditën e 11-të të grevës: Po mbijetojmë me shpirt ndër dhëmbë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 25.10.2025, 12:23

Prej 11 ditësh, naftëtarët e Marinzës vijojnë grevën e urisë të ngujuar në zyrat e Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur, duke kërkuar rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës. Ata shprehen se po përballen me vështirësi të mëdha fizike e psikologjike, ndërsa kompania “Bankers Petroleum Albania LTD” nuk ka reaguar ende ndaj kërkesave të tyre. “Përballë heshtjes së kompanisë dhe neglizhencës së shtetit shqiptar, ne do të vijojmë qëndresën tonë pa afat", deklarojnë protestuesit.

Njëri prej grevistëve, Dritan Rrapushi, thekson se presioni ndaj punonjësve është i madh dhe se disa prej tyre janë detyruar të rikthehen në punë për shkak të kërcënimeve për humbjen e vendit të punës. “U kanë vendosur në fyt litarin e bukës, bukën e fëmijëve, por ne nuk do të dorëzohemi”, u shpreh ai, duke shtuar se çështjet sindikale duhet të trajtohen me prioritet edhe në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.

Për situatën e krijuar, sindikata dhe punonjësit kanë njoftuar Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit dhe ambasadorin e BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke kërkuar ndërhyrje urgjente. Greva, e cila nisi më 15 tetor, zhvillohet në një kohë kur kompania “Bankers Petroleum” është nën hetim nga SPAK për dyshime se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 110 milionë lekësh. Naftëtarët kërkojnë që paga e tyre të rritet nga 60 mijë lekë në 100 mijë lekë në muaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit