Banorët e një lagjeje në qendër të Elbasanit kanë ngritur sërish shqetësimin për gjendjen e rëndë të rrugës pranë shkollës 9-vjeçare “Sul Misiri”. Në një video të publikuar nga një qytetare, shihet rruga e mbuluar me baltë dhe gropa me ujë pas reshjeve, duke e bërë të vështirë lëvizjen e banorëve, sidomos të fëmijëve që ndjekin kopshtin dhe shkollën në këtë zonë.
“Në mes të qytetit të Elbasanit të duhen çizme për të çuar fëmijën në kopsht ose në shkollën 9-vjeçare ‘Sul Misiri’, turp i madh kemi një vit me këtë situatë”, shkruan qytetarja, e stresuar nga mungesa e ndërhyrjes. Pamjet tregojnë një rrugë të amortizuar, ku kalimi me makinë apo në këmbë bëhet pothuajse i pamundur pas çdo shiu.
Sipas banorëve, pavarësisht ankesave të përsëritura, Bashkia Elbasan nuk ka marrë ende masa për rehabilitimin e rrugës. Ata i bëjnë thirrje kryebashkiakut Gledian Llatja që të ndërhyjë sa më parë, pasi situata po bëhet e padurueshme dhe po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.