Pezullohet volejbollistja braziliane e Dinamos, i kërkohet të bëjë ‘testin e gjinisë’

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.10.2025, 10:26

Volejbolli shqiptar është përfshirë këto ditë nga një ngjarje e pazakontë dhe e paprecedentë. Volejbollistja braziliane e Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar përkohësisht nga aktivitetet sportive, pas disa ankesave të paraqitura në Federatën Shqiptare të Volejbollit (FSHV) në lidhje me gjininë e saj.

Sipas Panorama Sport, pas sinjalizimeve të ardhura nga ekipe rivale, Federata i ka kërkuar klubit të Dinamos që të kryejë një “test gjinie” për sportisten 32-vjeçare.

Ferreira mësohet se nuk e ka pritur mirë këtë vendim, por së bashku me klubin është shprehur e gatshme t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore për të sqaruar situatën. Burime pranë FSHV-së bëjnë me dije se kërkohen teste të thelluara mjekësore, për të parë nëse mund të ketë pasur më herët ndonjë ndryshim gjinie.

Situata ka shkaktuar habinë dhe pakënaqësinë e sportistes, e cila është shprehur se ndihet e diskriminuar dhe e lënduar nga dyshimet që i janë ngritur. Për momentin, as Dinamo dhe as Federata nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare, ndërsa pritet përfundimi i analizave për të marrë një vendim përfundimtar.

Deri në sqarimin e plotë të çështjes, Nayara Ferreira mbetet e pezulluar nga të gjitha aktivitetet sportive.

Braziliania ka një karrierë të gjatë ndërkombëtare, duke qenë pjesë e klubeve si BMB/Mackenzie, San Bernardo, Sesi, Pinheiros në Brazil, Gran Canaria në Spanjë, Kravole Pole në Çeki, LP Vampula në Finlandë, Vitoria dhe Kairos në Portugali, si dhe Al Ahly e Alula në Arabinë Saudite.

Këtë sezon, ajo u bashkua me Dinamon, në përvojën e saj të parë në Shqipëri, por është përballur me një situatë që nuk e ka hasur në asnjë prej vendeve ku ka luajtur më parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit