Një video që tregon disa tifozë duke u përleshur me njëri-tjetrin ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar. Incidenti raportohet se ka ndodhur gjatë pushimit të pjesës së parë të ndeshjes mes Elbasanit dhe Bylisit, e vlefshme për Superligën Shqiptare, e zhvilluar mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”.
Sipas qytetarit që ka dërguar videon dhe mesazhin shoqërues, në sherr janë përfshirë edhe presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, si dhe babai i një prej lojtarëve të skuadrës së Ballshit. Qytetari pretendon se ata janë dhunuar fizikisht nga tifozë të Elbasanit pas një përplasjeje verbale në tribunë.
Megjithatë, këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht, dhe për momentin JOQ Albania nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur rrethanat e ngjarjes apo personat e përfshirë.
Në videon e dërguar në redaksi, e cila është postuar më herët edhe në rrjete sociale, shihen disa persona duke u konfliktuar fizikisht në tribunë, ndërsa nuk është e qartë se kush janë individët e përfshirë.
Mesazhi i plotë i qytetarit që ka kontaktuar JOQ Albania:
“Dhunohet fizikisht në stadiumin Elbasan Arena presidenti Besnik Kapllanaj dhe babai i një lojtari të Bylisit. Sot në ndeshjen Elbasani vs Bylis. Videon e ka filmuar një person nga tifogrupi që e ka postuar në TikTok. Sherri nisi gjatë pushimit të pjesës së parë për arsye banale, pasi tifozët po shanin ekipin e Ballshit. Babai i lojtarit të Bylisit ka ofenduar në tribunë me fjalë fyese dhe bashkë me të ka qenë edhe presidenti Besnik Kapllanaj. Si pasojë janë rrahur fizikisht nga disa tifozë të Elbasanit.”
Ndërkohë Elbasani ka mposhtur Bylisin me rezultatin 2-1. Ndeshja, e zhvilluar në “Elbasan Arena” dhe e gjykuar nga Dorjan Maletaj, u shoqërua nga tensioni në tribuna dhe në fushë.
Që nga minuta e 25-të, Bylisi mbeti me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Brunon, ndërsa Diallo realizoi dy golat për Elbasanin, në minutat 26 dhe 38.
Marku shënoi për Bylisin në minutën e 50-të, por goli nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.