Deputeti Armend Zemaj godet qytetarin me grusht: “Më provokoi”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.10.2025, 21:44

Një incident i pazakontë ka përfshirë sot deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, i cili ka goditur me grusht një qytetar në qendër të Prishtinës. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në sheshin “Ibrahim Rugova”, teksa Zemaj po jepte një intervistë për mediat. Mësohet se qytetari që po kalonte aty pranë, e quajti deputetin "rrenc".

Sipas Policisë së Kosovës, e cila ka konfirmuar rastin dhe ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, hetimet kanë nisur menjëherë për të sqaruar rrethanat e incidentit.

Vetë Zemaj ka pranuar se është përfshirë në përplasjen fizike, duke thënë se qytetari e ka ofenduar dhe provokuar me fjalë të papranueshme. Në një reagim publik, deputeti ka kërkuar falje, duke pranuar se dhuna “nuk është përgjigje e drejtë”:

“Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë… Dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Kërkoj falje publike dhe marr këtë si mësim për të qenë më i përmbajtur në çdo situatë,” – shkroi ai.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar duke dënuar ashpër si sulmin, ashtu edhe ofendimet ndaj deputetit të saj. Në njoftimin zyrtar, LDK e ka cilësuar ngjarjen “cenim të drejtpërdrejtë të sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit dhe të institucioneve demokratike”.

Partia kujton se “mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë”.

Pamjet e kamerave të sigurisë pritet të zbardhin në ditët në vijim versionin e plotë të ngjarjes që ka vendosur në qendër të vëmendjes një nga figurat e njohura të LDK-së.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit