Një apel rrëqethës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Roani, një foshnjë vetëm 40 ditëshe, ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ai ka lindur me një defekt të rëndë në zemër, ndërsa të gjitha venat e gjakut janë të lidhura në mënyrë të gabuar me zemrën.
Në Shqipëri nuk mund të marrë trajtimin e nevojshëm, ndaj Roani duhet dërguar urgjentisht jashtë shtetit për një ndërhyrje të specializuar.
Rasti është marrë përsipër nga Fondacioni Firdeus, i cili po bën çdo përpjekje për ta nisur vogëlushin me avion spitalor, por koha po mbaron.
Babai dhe familjarët e Roanit kanë dërguar mesazhe prekëse, duke iu lutur qytetarëve për ndihmë, pasi dhimbja e tyre është e pamatë, para 10 vitesh humbën vajzën nga e njëjta sëmundje.
“Është shumë urgjente! Para 10 vitesh humba vajzën nga e njëjta sëmundje, jetoi vetëm 45 ditë. Sot kam djalin që është vetëm 40 ditësh dhe më duket sikur do ta humbas edhe atë. Ju lutem më ndihmoni, po më del zemra vendit nga vuajtjet. Roani ka defekt në zemër dhe ndodhet në gjendje kritike.”
Familjarët, mes lotësh, luten që askush të mos i përjetojë më të njëjtën tragjedi.
“Dy mbesa i kam humbur, nuk dua që të më vdesë edhe nipi. Mu tret djali në spitale, ma shpëtoni, është foshnje e vogël, jepini një mundësi të jetojë.”
Nëna e vogëlushit, me lot në sy, i flet çdo ditë djalit të saj të intubuar:
“Roan, shpirti i mamit, të pritëm me vite... mos na braktis, mos ia lësho dorën mamit. Ti je jeta ime, drita e shpirtit tim. Do ta kalojmë bashkë këtë. Mos na lër.”
Familja kërkon ndihmë nga çdo zemër e mirë për ta dërguar sa më shpejt Roanin jashtë vendit. Çdo ditë që kalon, çdo minutë, është vendimtare.
Shpërndajeni këtë apel sa më shumë, çdo ndihmë, çdo shpërndarje, çdo sekondë ka rëndësi.