Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare, plot 55%, po përballen me vështirësi serioze për të mbyllur muajin. Sipas të dhënave të Eurostat, shqiptarët ndihen shumë më të varfër krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, ku vetëm 17% e qytetarëve e ndjejnë barrën ekonomike në këtë shkallë.
Në rajon, tabloja mbetet më e butë: 34% e serbëve, rreth gjysma e malazezëve dhe po aq maqedonas deklarojnë se ndihen të varfër. Megjithatë, Shqipëria renditet ndër më të goditurat, e dyta pas Greqisë, ku 67% e popullsisë percepton se jeton në kushte varfërie.
Eurostat mat jo vetëm varfërinë “zyrtare”, që lidhet me të ardhurat dhe mundësitë materiale, por edhe atë “subjektive”, pra mënyrën se si qytetarët e ndjejnë realisht jetesën e tyre. Dhe pikërisht këtu, perceptimi në Shqipëri është shumë më i errët se shifrat në letër.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2024, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër ishte 19%, me një prag të ardhurash prej vetëm 330 lekësh në ditë, ose 9,700 lekë në muaj për person. Por në anën tjetër, mbi gjysma e shqiptarëve ndihen të varfër, një diferencë e thellë prej më shumë se 30 pikë përqindje që tregon se realiteti i përditshëm peshon shumë më rëndë se statistikat.