Parlamenti kroat ka miratuar sot rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke e bërë Kroacinë një nga vendet e rralla të BE-së dhe NATO-s që rikthejnë këtë sistem pas më shumë se 15 vitesh.
Vendimi vjen në një kohë tensionesh të rritura në Evropë pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe garës së re të armatimeve në Ballkan, një rajon që përjetoi një luftë të përgjakshme në vitet ‘90.
Ligji u miratua me 84 vota pro, 11 kundër dhe 30 abstenime në parlamentin me 151 anëtarë. Sipas televizionit publik HRT, shërbimi ushtarak do të zgjasë dy muaj dhe do të ofrojë trajnim bazë ushtarak për të rinjtë.
Ai ishte pezulluar që nga viti 2008, kur Kroacia kaloi në një sistem vullnetar.
Ministria e Mbrojtjes deklaroi se qëllimi është që të rinjtë të mësojnë aftësi bazë “të nevojshme në situata krize”, për të kontribuar në sigurinë kombëtare.
Autoritetet do të fillojnë thirrjet mjekësore për të lindurit në vitin 2007 deri në fund të vitit, ndërsa ata që refuzojnë shërbimin ushtarak do të kenë mundësi të kryejnë shërbim civil. Rekrutët do të paguhen për periudhën e trajnimit.
Ky vendim vjen në një kohë kur shumë shtete europiane po përforcojnë ushtritë e tyre nga frika se lufta në Ukrainë mund të përhapet ose të sjellë pasoja të reja në rajon.
Kujtojmë se në korrik Kroacia mbajti një paradë të madhe ushtarake për të përkujtuar fitoren e saj në luftën e viteve 1991-1995, ndërsa marrëdhëniet me Serbinë mbeten ende të tensionuara.