U përfshi në aksidentin ku vdiq 16-vjeçari, Gjykata e Fierit nxjerr nga burgu profesorin italian

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 24.10.2025, 17:08

Pas aksidentit tragjik në Fier, ku humbi jetën një 16-vjeçar nga Patosi dhe u plagosën tre të tjerë, pedagogu italian i biologjisë në Universitetin e L’Aquilës, Michele D’Angelo, është lënë i lirë. Lirimi i tij është bërë i mundur falë ndërhyrjes së diplomacisë italiane, pas disa javësh paraburgimi.

Mediat italiane raportojnë se D’Angelo është liruar me kusht, pas pagesës së 15 mijë eurove, ndërsa Prokuroria e Fierit vijon hetimet për ngjarjen. Sipas tyre, ekspertiza përfundimtare pritet të konfirmojë nëse pedagogu ka apo jo përgjegjësi për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe braktisje të automjetit pas aksidentit ku humbi jetën adoleshenti.

Lirimi i profesorit është rezultat i një përfshirjeje të gjerë diplomatike mes përfaqësuesve shqiptarë dhe italianë. Universiteti i L’Aquilës dhe komuniteti akademik ku ai bën pjesë u angazhuan publikisht për mbledhjen e fondeve dhe përkrahjen e D’Angelos gjatë procesit të tij gjyqësor.

Ndërkohë, hetimet në Shqipëri vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Autoritetet pritet të përfundojnë procedurat ligjore brenda muajit nëntor, ndërsa D’Angelo është rikthyer në Itali, ku po qëndron pranë familjes së tij në pritje të rezultateve përfundimtare të hetimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit