GJKKO ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Juxhin Kokën, i cili u ekstradua nga Spanja drejt Shqipërisë. 31-vjeçari akuzohet nga SPAK se në shkurt të vitit 2025, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vjedhur 200 mijë litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit dhe ka korruptuar punonjës të Policisë së Shtetit për të realizuar veprën penale.
Sipas SPAK, ndaj Kokës rëndojnë akuzat për “kontrabandë të mallrave për të cilat paguhet akcizë”, “korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “vjedhje”, të gjitha të kryera në bashkëpunim. Hetimet tregojnë se ai dhe Drilon Malluta i kanë ofruar 10 mijë euro ryshfet punonjësit të policisë Armand Marvataj, për të lejuar nxjerrjen e paligjshme të naftës së sekuestruar.
Nafta kontrabandë u nxor nga anija më 27 janar 2025, në bashkëpunim me pjesëtarë të ekuipazhit, përfshirë inxhinierin Samir Bayoumy dhe disa marinarë të tjerë. Çështja vijon të hetohet nga SPAK, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë aktivitet të paligjshëm.