Në Cakran, banorët janë detyruar të marrin vetë masa për të sistemuar pedonalen e dëmtuar, pasi punimet e nisura prej vitesh nuk janë përfunduar ende. Rruga është kthyer në një problem të përditshëm, me baltë dhe ujë që e bëjnë të vështirë kalimin për këmbësorët dhe automjetet.
Ata i bëjnë thirrje Bashkisë Fier dhe kryetarit Armando Subashi të ndërhyjnë sa më shpejt për të përfunduar projektin e nisur. Sipas banorëve, situata është bërë e papërballueshme, sidomos për fëmijët që lëvizin çdo ditë në atë segment.
Në mungesë të një zgjidhjeje institucionale, banorët kanë nisur vetë punën për të mbushur gropat dhe për të përmirësuar kalueshmërinë e rrugës. Ata kërkojnë që bashkia të mos i lërë më vetëm dhe të ndërhyjë përfundimisht për të rikthyer normalitetin në zonë.