Prokuroria e Posaçme ka regjistruar emrin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Burime konfirmojnë se numri dy i qeverisë “Rama 4” është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën, në bazë të një shkrese që mban firmën e prokurorit të posaçëm Dritan Prenci. Fletëthirrja, sipas të njëjtave burime, i është dorëzuar Ballukut në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në dokument, zëvendëskryeministres i kërkohet të jetë e shoqëruar nga një avokat gjatë paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme, një detaj që, sipas praktikës, nënkupton se ndaj saj mund të komunikohet akuzë penale. Kjo lë të kuptohet se SPAK pritet të nisë ndjekjen penale ndaj Ballukut, pa kërkuar masë sigurie, duke shmangur kështu procedurën e autorizimit nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ndërkohë, vetë SPAK mbetet i rezervuar për të dhënë detaje mbi hetimin që ka për objekt zëvendëskryeministren. Ajo është përfshirë në disa kallëzime penale, ndër të cilat më i bujshmi është ai për tunelin e Llogarasë, ku vlera e kontratës me kompaninë fituese turke është rritur me mbi 50 milionë euro pas dhënies së tenderit.
Nuk dihet ende nëse zonja Balluku do t’i përgjigjet thirrjes së SPAK dhe si do të reagojë politikisht përballë kësaj situate. Do të mbetet në postet qeveritare apo do të zgjedhë të largohet për ta përballuar betejën ligjore pa mburojën e Partisë Socialiste? Belinda Balluku ushtron detyrën e zëvendëskryeministres që prej korrikut 2022 dhe të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që nga janari 2019, ndërsa në zgjedhjet e 11 majit ajo drejtoi fushatën në qarkun Fier, ku Partia Socialiste siguroi 12 mandate.