OBSH: 89 të vrarë dhe 317 të plagosur në Gaza që nga armëpushimi i 11 tetorit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 24.10.2025, 08:08

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në Gaza më 11 tetor, situata humanitare mbetet e rëndë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të paktën 89 persona janë vrarë dhe 317 janë plagosur gjatë kësaj periudhe. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se “kriza në Gaza është larg përfundimit” dhe se “nevojat e popullsisë mbeten të mëdha”, duke apeluar për rritjen e ndihmave mjekësore dhe humanitare në territorin palestinez.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, pas një vizite tre-ditore në Izrael, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa tokësore në Gaza. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së armëpushimit dhe të rolit të lidershipit amerikan për të mbikëqyrur procesin e paqes. “Nuk do të ketë trupa amerikane në terren, por lidershipi amerikan është thelbësor për arritjen dhe ruajtjen e kësaj paqeje”, u shpreh Vance.

Zyrtari amerikan shtoi se armëpushimi aktual po respektohet, por çarmatimi i Hamasit do të kërkojë kohë dhe përpjekje ndërkombëtare. Ai bëri të ditur se një forcë ndërkombëtare sigurie, e cila ende nuk është formuar, do të ketë rol në zbatimin e këtij procesi. Vance përsëriti gjithashtu qëndrimin e presidentit Donald Trump se Izraeli nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim për aneksimin e Bregut Perëndimor, duke e konsideruar këtë si një pengesë për paqen afatgjatë në rajon.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit