Vrasja e shqiptares në Kanada, ish-partneri me precedentë, në 2023 qëlloi me armë drejt shtëpisë së saj

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 24.10.2025, 08:25

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e 29-vjeçares me origjinë shqiptare, Savannah Kulla, ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Brampton të Kanadasë. Sipas mediave kanadeze, autori i dyshuar, Anthony Deschepper, kishte qenë më parë në një lidhje me Savannah, nga e cila kishin edhe një vajzë njëvjeçare që ndodhej në vendngjarje në momentin e vrasjes. Kryetari i bashkisë së Bramptonit, Patrick Brown, deklaroi se çifti ishin ndarë prej disa muajsh, ndërsa shtoi se Deschepper humbi jetën pas një përplasje me policinë në Niagara Falls më 22 tetor.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga CTV News Toronto, Deschepper kishte një histori të gjatë dhune dhe akuza të mëparshme për mbajtje të armëve të zjarrit që datonin që nga viti 2006. Ai ishte akuzuar edhe në vitin 2023 për qëllim me armë ndaj Savannah-s, por ishte liruar me kusht dhe gjyqi për çështjen ishte planifikuar të mbahej vitin e ardhshëm. Kryebashkiaku Brown e quajti lirimin e tij një “neglizhencë absolute”, duke theksuar se nëse autoritetet do të kishin vepruar me kujdes, Savannah do të ishte ende gjallë.

Nëna e viktimës, Karen Kulla, tha për CTV News se Deschepper kishte qenë “i fiksuar” pas vajzës së saj dhe e kishte ndjekur e ngacmuar vazhdimisht. Sipas saj, Savannah kishte tentuar të largohej disa herë nga ai, por autori e kishte përndjekur deri ditën e fundit. “Ai i telefononte dhjetëra herë në ditë, kishte instaluar kamera për ta mbajtur nën vëzhgim. Të shtunën ajo i tha se gjithçka kishte mbaruar, por ai nuk e priti mirë – dhe ky ishte rezultati tragjik,” rrëfeu nëna e saj mes lotësh.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit