Një nga veprat më të mëdha dhe më të njohura të artistit francez Yves Klein, piktura “California (IKB 71)”, është shitur në ankand për 18.4 milionë euro. Vepra monumentale, e cila përmasat i ka 4 metra gjerësi dhe gati 2 metra lartësi, përfaqëson një nga kulmet e stilit unik që e bëri Klein një figurë të paharrueshme të artit bashkëkohor.
Klein, i cili u nda nga jeta në vitin 1962, vetëm 34 vjeç, njihet si mjeshtri absolut i ngjyrës blu ultramarine, të cilën e shpiku dhe e patentoi me emrin “Blu Ndërkombëtare Klein” (International Klein Blue – IKB). Ai e krijoi këtë ngjyrë përmes një përzierjeje të veçantë rrëshire sintetike, matit dhe pigmenti, duke i dhënë saj një thellësi dhe ndriçim që e dallon nga çdo nuancë tjetër blu në art.
Sipas vetë artistit, çdo pikturë monokrome e tij kishte një “esencë dhe atmosferë tërësisht të ndryshme”, edhe pse ngjyra mbetej e njëjtë. Kjo filozofi u mishërua në mënyrë të përsosur te “California”, e cila u realizua në fillim të vitit 1961, pak para se Klein të ndërmerrte udhëtimin e tij të parë dhe të fundit në Shtetet e Bashkuara.
Në këtë vepër, ai ngjiti guralecë të vegjël në sipërfaqen e telajos, duke krijuar një teksturë që, sipas shtëpisë së ankandeve, “kujton një shtrat deti nën humnerën blu të oqeanit”. Kjo qasje e dha pikturës një dimension skulpturor dhe poetik njëkohësisht.
Klein vazhdon të mbetet një figurë shumë e kërkuar në tregun ndërkombëtar të artit. Në vitin 2013, një skulpturë e tij në formë luleje, e realizuar nga sfungjerë blu të vendosur mbi një kërcell metalik me bazë guri, u shit për 22 milionë dollarë në ankandin e Sotheby’s në Nju Jork – duke vendosur rekordin absolut për një vepër të artistit.