Bypass-i i Shkodrës, një projekt i stërzgjatur që u inaugurua më në fund në vitin 2022, supozohej të ishte arteria e re që do t'i jepte frymëmarrje qytetit verior dhe do të lehtësonte lëvizjen për mijëra automjete, duke përfshirë edhe turistët e shumtë.
Megjithatë, siç denoncon një qytetar, gjatë natës, kjo vepër e shumëpritur shndërrohet në një rrezik real: në 'tunnel të zi' që kërcënon sigurinë e shoferëve.
Në videon e ardhur në redaksinë tonë, shkodrani tregon qartë vështirësinë ekstreme për të drejtuar automjetin në orët e mbrëmjes, për shkak të mungesës totale të ndriçimit. Kjo mungesë, aq e thjeshtë në dukje, mund të jetë fare lehtë shkak për një aksident me pasoja të rënda.
Ironia e shkodranit ishte therëse: “Bashkia nuk ka lekë për 20 llampa!”
Kjo frazë shpërfaq cinizmin e situatës: Një projekt madhor, që ka gëlltitur miliona euro dhe vite pritje, lihet në mëshirë të fatit për shkak të një investimi minimal në ndriçim. Kjo jo vetëm që dëmton imazhin dinjitoz të qytetit si një portë turistike, por tregon një shpërfillje flagrante ndaj sigurisë së qytetarëve.
APEL PËR BASHKINË:
Benet, vendos llampat! Nuk ka nevojë që kryeministri të kërkojë llogari publikisht për dritat e Bypass-it. Më e rëndësishmja, nuk ka nevojë të presim që kjo 'rrugë e zezë' të marrë një jetë apo të shkaktojë një ngjarje tragjike përpara se institucioni vendor të marrë masat e nevojshme. Siguria publike nuk matet me kosto llambash!